Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë në konferencë për media pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit dhe largimit të serbëve nga institucionet qendrore dhe lokale.
Situatën e krijuar nga Lista Serbe, Kurti e ka quajtur refuzim të Serbisë ndaj nismës franko-gjermane, duke thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po e gënjen e zhgënjen SHBA-në dhe BE-në, raporton Gazeta Sinjali.
“Mbarëvajtja po vijon. Pavarësisht zhvillimeve, institucionet kanë vazhduar pa ndërprerë përmbushjen e detyrave. Dua të ju njoftoj me realizimin e lehtësuar të regjistrimit të targave ilegale. Deri më tani janë shënuar 856 qortime. Ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë dhe të presidentit për destabilizimin e situatës në vendin tonë dhe këto kërcënime janë të orientuara ndaj qytetarëve të vendit tonë, nëpërmjet ngjalljes së frikës.
Vuçiq pati takime të ndara me ambasadorin e Rusisë dhe te Kinës në Beograd. Kjo tregon qartë se ai koordinohet me Rusinë e Kinën, ndërsa gënjen e zhgënjen SHBA-në dhe BE-në. Prandaj çfarë po ndodh shpjegohet me përpjekjen e Beogradit për ta amballazhuar kundërshtimin e nismës franko gjermane. Nuk bëhet fjalë për tabela të automjeteve, as për Asociacion, as për suspendimin e Gjuriqit. Bëhet fjalë për refuzimin që ia kanë bërë Evropës dhe për këtë po i përdorin ata që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë.
Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çdo marrëveshje dhe rruga që ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet kriminale në very të vendit. Kjo rrugë nuk është e paqes e as e ndërtimit të marrëdhënieve të mira. Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme, shteti jonë është i fortë, duke qenë i rreshtuar me BE-në, SHBA-në dhe me NATO-n.“, tha Kurti