Kurti për aksionin e policisë: Krimin e kapën për bishti, por koka është diku tjetër

Kurti për aksionin e policisë: Krimin e kapën për bishti, por koka është diku tjetër

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i është përgjigjur kritikave të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili dje në Kuvend e akuzoi se e ka penguar aksionin e policisë në Karaçevë që ishte planifikuar të organizohej në kohën kur Kurti ishte kryeministër.

Përmes një konference për media, Kurti tha se nuk e ka lejuar organizimin e këtij aksioni, pasi ministri Veliu në atë kohë kishte kërkuar lejen e tij, por pa e informuar në detaje për aksionin.

“Më lejoni që t’i përgëzoj policët që morëm pjesë në aksion. Tash duhet të vazhdojnë hallkat e tjera të sigurisë dhe drejtësisë që procesi të përfundojë me sukses. Fillimi nuk është përfundim. Më lejoni ta përkujtoj ditën e dytë të punës sime si kryeministër, kur ish-ministri im, Agim Veliu patë ardhur për leje për një aksion në Zubin Potok, pastaj për një tjetër aksion në Karaçevë. Vetëm kërkonte lejen time pa më informuar për mua. Unë kam kërkuar aksion të përgatitur mirë, e jo aventura. Krejt çka mundi të më ofrojë ish-ministri im ishte se gjithçka do të shkonte në rregull”, ka thënë Kurti.

Më tej, lideri i VV-së tha se krimi i organizuar nuk e ka kokën në Karaçevë, por në Prishtinë.

“Nëse ky i mbrëmshmi ka qenë krim i organizuar, më duhet të them se e kanë kapur për bishti. Koka e këtij krimi është diku tjetër, është në Prishtinë. Për ta kuptuar më mirë krimin e organizuar duhet të lexojmë raportin e progresit të vitit të kaluar. Sistemi ynë i drejtësisë dështon, sepse nuk i kap kokat e krimit. Pas aksionit të mbrëmshëm, tash nevojitet prani e përhershme e policisë në atë zonë”, ka përfunduar Kurti.