Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me dakodim për targat nuk është cenuar kurrfarë substance e shtetit të Kosovës.
Ai u ka thënë deputetëve se në Bruksel janë zotuar për konfidencialitet të bisedimeve.
“Unë e përmenda dallimin e numrit të fjalëve të hënën me të mërkurën si një me dy sepse nuk janë identike, kanë shumë dallim të madh. Unë po jam transparent për procesin por jemi zotuar për konfidencialitet të bisedimeve, andaj edhe që të mos fajësohet Kosova, të mos fajësohem unë, të mos fajësohemi ne, unë nuk po e publikoj atë, por është dallim drastik e hëna me të mërkurën, besoni, këto do të dalin nuk do të vonojnë shumë mirëpo është dallimi drastik”, ka thënë Kurti.
Ai a thënë se e kishte kundërshtuar afatin prej 10 muajsh meqë sipas tij kjo do të nënkuptonte pranim të dobësisë së shtetit.
“Institucionet e Kosovës punojnë me shpejtësi, me efikasitet, me cilësi, me profesionalizëm, por nëse unë do të thosha si kryeministër i këtij vendi që më duhen 10 deri në 12 muaj për me i konvertu nja 7 mijë vetura, kjo është pranim i dobësisë së shtetit. Unë përkundrazi, unë thosha brenda një jave i kryej krejt, ata thoshin nuk jeni të zot ju si shtet që ta bëni konvertimin shpejtë, ju duhet shumë kohë ,jo nuk më duhet shumë kohë, gjashtë veturat shumë shpejtë i konvertuam, ata shumë shpejtë i dogjën, pra problemi ishte djegia e veturave e jo mungesa e shpejtësisë në konvertimin e tyre si shërbim publik i shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Kryeministri i vendit ka thënë se në Kosovë janë më pak se 200 automjete me pronarë serb që i kanë targat ilegale e të cilat janë regjistruar këtë vit.
Të tjerat ka theksuar se janë më të vjetra dhe do t’u skadojë afati.
“Janë më pak se 200 automjete në Kosovë me shoferë e pronarë serb që i kanë tabelat ilegale e të cilat janë regjistruar sivjet, krejt janë më të vjetra se sivjet, atyre krejt ka me ju dalë regjistrimi, nuk ka më regjistrim. Është e vërtetë që po bëhet fjalë për një pjesë të vendit tonë për veriun por po bëhet po ashtu fjalë edhe për një pjese të Serbisë për qendrën për regjistrimin e automjeteve në Rashkë, a është koncesion, po mund të shihet edhe si koncesion, por unë besoj që dobia ka qenë shumë e madhe dhe nuk kemi cenuar kurrfarë substance, për besë nuk kemi cenuar kurrfarë substance të vendit tonë, do të cenohej substanca shumë më tepër me thënë 10-12 muaj, se u dogjën gjashtë kerre”, ka thënë ai.
Për çështjen e dialogut Kurti i është përgjigjur kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi i cili i ka thënë se nuk ka qenë e nevojshme të shkohet në Bruksel dhe të diskutohet për targat që është vendim i Qeverisë së Kosovës.
“Keni shkuar në Bruksel dhe keni negociuar për një temë të cilën nuk ke pasur nevojë, sepse është kompetencë e jotja, e qeverisë, a e ke ndryshu vendimin e qeverisë për atë sekuencën e veprimeve në lidhje me tabelat, sepse nëse ajo është në fuqi ende nuk mund të jetë deklarata e Borrellit më e rëndësishme sesa vendim i qeverisë së Kosovës. Pra ti duhesh me shku tash në qeveri me ndrru atë vendim, pra për me ndrru atë vendim nuk ke pasur nevojë me shku me disktu me Vuçiqin, as ti e as Bislimi me Petkoviqin. Ka qenë e thjeshtë, ke mundur me vullnetin e mirë me disktu me amerikanët siç kanë kërkuar dhe me thënë në rregull dhe sot e kishte pas një situatë më normale në veri, e tash nuk mund ta kthesh as atë normalitet”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se Kuvendi e ka fjalën e fundit andaj sipas tij qeverisë i duhet bashkërendim me partitë opozitare.
“Po thuani po na quajnë palë, palë janë quajtur gjithmonë, Kosova dhe Serbia në çdo diskutim, në çdo deklaratë prej kur ka filluar 2011 e tutje, palët janë quajtur, marrëveshja ndërkombëtare ligjërisht e obliguar është si terminologji prej fillimit, bile jam shqetësuar që në vitet e fundit dy vitet e fundit nuk është përmend mjaftueshëm, këto janë thjesht krejt çka kanë ndodhur në të kaluarën, e mirë që ti je duke kuptuar rëndësinë e procesit por edhe të bashkërendimit që e përmende sot nuk do me ecë vet. Nuk mundesh me ecë vet, ky Kuvend në fund ka me dhënë fjalë ne fundit, krejt partitë parlamentare që përfaqësojnë qytetarët, andaj ty të duhet bashkërendimi, edhe me partitë opozitare”, ka thënë kreu u PDK-së.
E lidhur me këtë, kryeministri Kurti ka thënë se nuk mundet dhe as nuk dështon të punojë pa deputetët e Kuvendit.
“Sa herë të jem në Kosovë, veç nëse vjen ndonjë personalitet shumë i lartë qysh herën e kaluar ka qenë Ursula von der Leyen presidentja e Komisionit Evropian, se mua këtu më keni. Unë as nuk mundem pa juve as nuk dua pa juve. Mirëpo edhe ju duhet ta pranoni një gjë se e keni kryeministrin më të rregullt në parlament se shumë deputetë, shumë deputetë vinë shumë më rrallë se unë, e unë për ta jam këtu”, ka thënë Kurti