Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Sopaj nga Malisheva, e cila humbi dy anëtarë në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Podujevë-Prishtinë.
Në telegram, kryeministri Kurti i ka shprehur ngushëllime familjes, duke bashkëndjerë me ta për humbjen et tyre.
Ndërkaq fëmijëve të lënduar, kreu i ekzekutivit u ka dëshiruar shërim sa më të shpejtë.
Të ndjerët kishin qenë duke ardhur në Kosovë nga Sllovenia, ku ishin duke jetuar e punuar.
Telegrami i plotë i kryeministrit Kurti:
E nderuara familje Sopaj,
Me trishtim e pikëllim të thellë e morëm lajmin për humbjen e jetëve të familjarëve tuaj.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje Tuajën kaq të madhe. Fëmijëve të lënduar u dëshiroj shërim të shpejtë dhe uroj që të tejkalojnë sa më lehtë pasojat e aksidentit.
Republika e Kosovës bashkëndjen me familjen tuaj. Shpresoj të mund të gjeni forcën për të përballuar dhimbjen tuaj, që është dhimbje edhe e mbarë popullit.
Me mendje e zemër jemi pranë jush, në këto ditë pikëllimi e zie.
Me nderime,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës