Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai mund ta ndihmojë popullin serb për të sjellur një ndryshim progresiv në politikën serbe.
Kurti në Unionin e Oksfordit gjatë ditës së djeshme, ka deklaruar se këtë ai mund ta bëjë duke e dëshmuar se Kosova mund të lulëzojë pavarësisht mosnjohjes së pavarësisë nga Serbia.
“Një Kosovë e fortë dhe prosperuese do ta ndihmojë popullin serb dhe elitën e tij politike të kuptojë se një politikë miqësie ndaj nesh u shërben interesave të tyre shumë më mirë. Kjo është arsyeja pse qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por, Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të”, është shprehur Kurti.
“Në anën tjetër, vendet perëndimore duhet të bëjnë gjithashtu pjesën e tyre për të ndihmuar forcat social- dhe liberal-demokratike në politikën dhe shoqërinë civile serbe. Në këtë aspekt, më duket se në dekadat e fundit strategjia perëndimore ka qenë disi e gabuar. Megjithëse mbështetja perëndimore që ndihmoi në rrëzimin e Millosheviçit në tetor të vitit 2000, me të drejtë përshëndetet si një histori suksesi, nga këndvështrimi i strategjisë afatgjatë perëndimore, ajo ka qenë më shumë një mallkim sesa një bekim”.
“Kjo për shkak se ka inkurajuar aleatët perëndimorë të forcave progresive serbe që të përqendrojnë ndihmën e tyre në nisma afatshkurtra dhe të bazuara në projekte. Unë besoj se kjo perspektivë afatshkurtër duhet të braktiset në favor të një qasjeje më të qëndrueshme dhe afatgjatë të përqendruar te vlerat dhe jo te projektet”.