Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkuar për të parë nga afër dëmet që janë bërë nga reshjet e fundit në Mamushë, vend që ndihmon shumë në prodhimin vendor të kulturave bujqësore.
Ai tha se kjo fatkeqësi që goditi në fatkeqësinë e pandemisë nuk mbahet mend as nga më të vjetrit, njofton Klan Kosova
“Biseduam me një plak 70 vjeçar që tha se kurrë në jetën e tij s’ka parë kaq grumbuj akuj të rënë. Kjo është një fatkeqësi që nuk e mban mend as brezi. Askush që është i gjallë nuk e mban mend të ketë ndodhë në të kaluarën reshje me copa ta akullit që janë edhe më të mëdha se veza e pulës”.
Kurti si në Suharekë edhe në Mamushë u zotua për kompensimin e dëmeve nga shteti.
“Po e shohim vetë dëmin e madh që e kanë shkaktuar akulli i rrufesë që është i paparë në këtë anë për shumë dekada. Gjithë këtij rajoni ne duhet t’i ndihmojmë derisa ata kontribuojnë shumë në prodhimin vendor dhe në buxhetin e shtetit. Prandaj jemi këtu me ministrin Mustafa që të tregojmë se ne kuadër të pandemisë kemi edhe një fatkeqësi shtesë. Shteti duhet ta dëshmojë veten në këtë kohë”.
“Ekziston edhe buxheti i ndarë për Ministrinë e Bujqësisë në Pakon Emergjente dhe duhet bërë evidentimi i dëmeve bashkë me një komision dhe më pas të bëhet edhe vlerësimi i tyre që të ndodhë kompensimi i drejtpërdrejtë. Kur sheh një veprimtari kaq të madhe natyrisht që shteti e Qeveria do të duhej t’i ndihmojë këta njerëz kaq punëtorë e kontribuues edhe kur s’ka fatkeqësi e lëre më tash”.
Ndërsa. Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, tha se shpejt do të bëjnë verifikimin e dëmeve përmes një komisioni të krijuar bashkë me komunat dhe më pas të bëhet edhe kompensimi.
“Ne si ministri do të jemi të përkushtuar që t’i përkrahim bujqit tonë edhe në këtë situatë emergjente. Unë kam gjetur një borxh në subvencione me 25 milionë euro dhe gjithë detyrimet me subvencione javën e kaluar kam përfunduar”.