Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se takimi i radhës në nivelin e dialogut Kosovë – Serbi do të zhvillohet më 4 prill në Bruksel, por jo mes tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Ai ka thënë se do të ketë takim në nivel të kryenegociatorëve.
“Më 4 prill në Bruksel do të diskutohen çështjet e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Ka marrëveshje, ekziston marrëveshja dhe është shumë e qartë e publike për të gjithë. Kemi nevojë për zbatim të saktë e të shpejtë të saj. Prandaj do të organizohet një takim në nivel të kryenegociatorëve”, ka thënë Kurti për gazetarë pasi mori pjesë në lansimin e projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konvetën e Stambollit”, ka deklaruar Kurti.
I pyetur në lidhje me deklaratat, përfshirë ato të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, se themelimi i Asociacionit është urgjencë, Kurti ka thënë të mos merren për bazë deklaratat politike, pasi marrëveshja është e qartë dhe duhet zbatuar e tëra.
“Marrëveshja duhet zbatuar e tërë. Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka jo. Siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes e aneksit, ashtu s’mund të ketë as zbatim të njëanshëm të tyre. Marrëveshjen nuk duhet copëtuar me marrë pjesët e preferuara. Te fjala që thatë ju ‘urgjencë’, ajo është pikërisht te fjalia që ka të bëjë me të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë”, tha Kurti.