Kurti: Ka ardhur koha që Spanja ta njohë pavarësinë e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, ka theksuar se është paradoksale që Spanja nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës, derisa bëri të qartë se Kosova është e angazhuar për një integrim të plotë në Bashkimin Evropian dhe se kjo rrugë, sipas tij, nuk duhet të kushtëzohet nga marrëdhëniet me Serbinë.

href='https://www.facebook.com/profile.php?id=61568261806507&mibextid=ZbWKwL'>

“Është paradoksale që Spanja, një demokraci e konsoliduar, nuk e njeh Kosovën, një vend pro-evropian që kundërshton ndikimin rus, duke mbajtur një pozicion afër Serbisë. Mendoj se ka ardhur koha që Spanja të njohë pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Kurti.

Ai më pas ka kujtuar dy momente kyçe të historisë së Kosovës që dëshmojnë angazhimin ndërkombëtar për pavarësinë e saj: “Krahas shpalljes së pavarësisë, historia jonë e re përfshin dy momente vendimtare. E para ishte çlirimi në vitin 1999, i mundësuar falë ndërhyrjes së NATO-s nën udhëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm, spanjollit Javier Solana. Komuniteti ndërkombëtar paralajmëroi se Millosheviçi donte të kryente një gjenocid të dytë, këtë herë në Kosovë, të ngjashëm me atë që ndodhi në Srebrenicë. Kthesa e dytë erdhi në shtator 2012, kur u hoq gjendja e mbikëqyrjes ndërkombëtare”, ka shtuar Kurti.

Tutje kryeministri ka thënë se vendet e tjera, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, që kanë lidhje edhe më të forta me Serbinë sesa Spanja, megjithatë e kanë njohur Kosovën.

“Ky precedent tregon se njohja e Kosovës nuk kushtëzohet domosdoshmërisht nga lidhjet ekonomike me Serbinë , por nga një vendim sovran i bazuar në parimet e drejtësisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Nëse Spanja njeh Kosovën, do të ishte një hap i nënkuptuar drejt stabilitetit brenda Ballkanit. Zgjerimi i Bashkimit Evropian është në tryezën e negociatave në Bruksel dhe kjo do të ishte një përgjigje perfekte për ata që kërkojnë të dobësojnë integritetin dhe bashkimin e Evropës”, ka nënvizuar Kurti.

Në pyetjen nëse kundërshtimi i Spanjës ndaj pavarësisë së Kosovës lidhet problemet e saj të brendshme, siç janë çështjet katalane apo baske, i pari i ekzekutivit kosovar ka thënë se çështja e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me situatën e brendshme politike në Spanjë.

“Republika e Kosovës dhe Spanja nuk kanë asnjë problem bilateral. Prandaj, nuk ka asnjë problem midis dy vendeve që mund të çojë në një bllokim të njohjes. Mendojmë se do të ishte mirë që Spanja t’i bashkohet shumicës së shteteve evropiane që e njohin Kosovën. Ka vende të tjera që, si Spanja, përballen me probleme secesioniste dhe megjithatë e kanë njohur Kosovën”, është shprehur Kurti.