Kryeministri Albin Kurti ka treguar për takimet që ka pasur në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit.Ai ka bërë me dije se për gjatë tri ditëve të qëndrimit ka takuar shumë diplomatë dhe liderë të shteteve perëndimore.
“Sapo mbërritëm në Davos, takuam Ndihmës Sekretarin e Shtetit amerikan James C. O’Brien, i cili përgjatë bisedës vlerësoi maturinë tonë përballë sulmeve, agresionit e provokimeve. Ndërsa në ditën pasardhëse ishte mundësi e mirë të takoj homologët nga Kroacia dhe Bullgaria Andrej Plenkovic dhe Nikolay Denkov, e Këshilltarin Federal të Zvicrës, Beat Jans”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Më tej, ai me emrat ka përmendur zyrtarët që ka takuar
“Mesazhet që i ndamë me miqtë tanë ishin ato të historisë sonë të suksesit, si një shtet që e ka ndërtuar veten në një demokraci edhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, ku progresi ekonomik dhe demokratik ecin krah për krah, e në qëndrueshmëri e cila është thelbësore për sukses të vazhdueshëm dhe stabilitet institucional. Mesazh ky që u vlerësua e fuqizua edhe nga pjesëmarrësit e nivelit të lartë në panelin mbi ekonominë, si Sekretari David Cameron dhe Ministri Barth Eide. Theksuam edhe se siguria e rajonit është faktor kyç për sigurinë e Evropës”, është shprehur Kurti.
Më tej, ai ka treguar se gjatë këtij forumi është takua edhe më shumë përfaqësues të kompanive botërore.
“Gjatë qëndrimit tre ditor në Davos, nuk munguan dhe takime me kompani me rëndësi globale në fushën e teknologjisë si “Philips”, “Meta” dhe “Ericsson”, të cilat i njoftuam mbi mundësitë që ofron Kosova për investime dhe përparësitë që vendi ynë ka në fushën e teknologjisë, si dhe intervistat për Politico, radion publike zvicerane SRF, dhe për European Broadcasting Union”, ka shkruar Kurti.