Kurti: FSK është garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar pjesëtarët e FSK-së në Poligonin Ushtarak në Babaj të Bokës, në Gjakovë, në kuadër të shënimit të realizimit të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”.

Në adresimin e tij, Kurti ka thënë se ndjehet shumë krenar sa herë që është në mesin e ushtarëve të FSK-së.

Sipas tij, ky ushtrim përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe është një tregues i qartë i përkushtimit, guximit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë.

“E veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht këtu, bëhet validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë të FSK-së, duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë drejt standardeve më të larta ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu ka theksuar se një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern, të cilat janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit.

Sipas tij, këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO-s janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve të Kosovës në fushën e mbrojtjes.

“Ky ushtrim tregon se Forca e Sigurisë së Kosovës është mburojë e vendit tonë, por edhe një partner i besueshëm për paqen dhe sigurinë rajonale, për aleatët e Kosovës.

Sot derisa ju shoh kështu të përkushtuar, të përgatitur e kaq të aftë dhe të gatshëm për ta mbrojtur atdheun, ju them me bindje të plotë se ju jeni frymëzim për të gjithë ne. Gjithashtu jeni garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta.

Ju falënderoj që mbani lart nderin dhe krenarinë e vendit tonë me angazhimin tuaj edhe të përhershëm edhe të sinqertë. Ju jeni dalzotësit e atdheut dhe mburoja më e mirë e më e fuqishme për Republikën e Kosovës”, ka thënë mes tjerash Kurti.