Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka 10 ditë që po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, takimet që shefi i ekzekutivit po i zhvillon atje, po kritikohen nga opozita dhe njohësit e protokollit shtetëror. Nga qeveria, thonë se takime të nivelit të lartë, kryeministri do të zhvillojë në këtë javë.
Me datën 6 maj, u nis për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.E ka 10 ditë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, po vazhdon të qëndrojë përtej Atlantikut.
E këto takime që i pari i ekzekutivit po i zhvillon atje, po kritikohen nga opozita në vend.
“Deri më tani nuk ka bash asnjë takim të nivelit të lartë dhe do të ishte dëshpëruese për Republikën e Kosovës sepse ajo është tregues i qartë që ndoshta kryeministri nuk është i dëshiruar atje”, tha nënkryetari i Partisw Socialdemokrate, Nol Nushi.
Ndërkohë, edhe njohësit e protokollit, thonë se vizita e Kurtit në SHBA nuk i ka përmbushur pritshmëritë.
Por nga Qeveria e Kosovës, tregojnë se takime të nivelit të lartë, Kurti do të zhvillojë në javën e fundit të qëndrimit atje.
“Në javën e mbetur të vizitës në SHBA, kryeministri Kurti përveç takimeve të tjera, do të ketë edhe takime të tjera me kongresmen e senator e me zyrtarë të tjerë të shtetit amerikan”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.
Ai shton se edhe vizitat e deritanishme të Kurtit, ishin të dobishme.
“Është parë si mundësi e mirë që përmes saj, të tërhiqen sa më shumë investime në Kosovë, që ato të gjenerojnë punësim e mirëqenie e që praktikisht është një nga shtyllat kryesore të kësaj qeverisje”, shtoi ai.
Ndërkohë, për vizitë në SHBA, ishte edhe e para e shtetit, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit në Kosovë, u kthye të dielën mbrëma.
Ndërsa të mërkurën do ta pres për vizitë, homologun malazez, Milo Gjukanoviq.