Në një konferencë për media ai tha se ka grurë të bluar për tre muaj, si dhe grurë të pa bluar për dy muaj të tjerë.
“Në muajin e kaluar kanë bluar grurë dhe tash ka miell edhe për së paku tre muaj. Tre muaj plus dy muaj. Rrjedhimisht të gjithë qytetarët që mund të kenë blerë më shumë sesa që u nevojiten i kisha inkurajuar që miellin ta qojnë në furrë sepse nuk ka vend për panik. Situata është shumë e mirë sesa disa shqetësime e brenga të stisura”, tha Kurti.
,Se ka miell mjaftueshëm, Kurti thotë se është siguruar edhe nga Shoqata e Mullisëve.
“Ka rezerva dhe rrjedhimisht nuk ka vend për panik. I ftojë të gjithë qytetarët e Kosovës që të ndjehen të sigurt siç është edhe situata në vendin tonë. Para se të vijë në këtë konferencë për media unë i takova kryetarët e Shoqatës së Mullisëve, të cilët me siguruan se në Kosovë edhe për dy muaj ka grurë që ende nuk është bluar”, tha ai.
Më tutje, kryeministri tha se Kosova nuk ka asnjë kilogramë miell që ka ardhur nga Rusia apo Ukraina.
“Përfituesit nga kriza botërore po dëshirojnë të fitojnë edhe tek ne. Asnjë kg miell në Republikën e Kosovës nuk përdoret që ka ardhur nga Federata Ruse ose Ukraina. Ne i dimë kapacitete tona dhe jemi të interesuar që t’i shtojmë këto kapacitet. S’ka vend për panik”, tha ai.
Se ka rezerva të miellit edhe për pesë muaj e ka pohuar edhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci.