Si një skenar të shkurtër e kanë paraqitur thirrjen që kanë marrë nga Prokuroria e Shtetit, Albin Kurti e Glauk Konjufca, që paditën presidentin Hashim Thaçi e kryeparlamentarin Kadri Veseli për shpifje.
Sot janë bërë fiks 3 muaj që kur Kurti e Konjufca e kishin deponuar në Prokurori dëshminë, siç thanë ata, të rrejshme të Thaçi e Veselit në rastin “Syri i Popullit”.
Postimi i Kurtit nga thirrja që kanë marrë nga Prokuroria:
– Alo, mirëdita.
– Mirëdita.
– Unë jam Zana nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës. Po flas me deputetin e Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca?
– Po, unë jam.
– Prokurori i Shtetit ju kërkon të vini për një bisedë lidhur me Kallëzimin Penal që keni bërë me datë 25 prill 2019, në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Na vjen keq që nuk ju kemi thirrur më herët, por a mund të vini nesër, të premten, në ora 10:00?
– Ka tre muaj që pres këtë thirrje. Sigurisht që do të vij. Bëhet fjalë për Kallëzimin tonë Penal ndaj Presidentit dhe Kryeparlamentarit, që kanë gënjyer dhe shpifur nën betim në gjykimin kundër të ashtuquajturit “Syri i Popullit”, apo jo?
– Po, ashtu keni thënë në Kallëzim Penal.
– Aty do të jem. Ju falemnderit. A e keni ftuar edhe Albin Kurtin?
– Po, porsa mbarova bisedën me të. Edhe ai do të vijë.
– Shumë mirë. Atëherë mirupafshim nesër.
– Mirupafshim. Ju falemnderit z. Konjufca.
Thjesht dhe qartë. Vetëm sikur të ishte edhe e vërtetë.
Kujtojmë se sot janë bërë 3 muaj që kur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, bashkë me shefin e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufcën, paditën në Prokurorinë e Shtetit për dëshmi të rrejshme presidentin Hashim Thaçi e kryeparlamentarin Kadri Veseli për rastin “Syri i Popullit”.
Herën e fundit, Kurti i kishte quajtur “Prokurorë me flladitëse”, pasi s’kishte marrë asnjë thirrje nga Prokuroria për 2 muaj.
Sipas Kurtit, në seancën e cila është mbajtur më 28 dhjetor 2018, për rastin ‘Syri i Popullit’, Thaçi dhe Veseli nën betim kishin shpifur për të, Glauk Konjufcën dhe Sadri Ramabajën.