Kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka deklaruar se tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.
Sipas tij, tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti.
“Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, i dërguari special i Presidentit amerikan, Donald Trump për marrëveshjen me Kosovën dhe Serbinë, Richard Grenell kërkoi qeverisë së re të Kosovës të heqë taksën ndaj mallrave serbe.
Richard Grenell, i cili është ambasador amerikan në Gjermani, tha se ”presim që taksa të hiqet menjëherë”.
“Ne u kemi sqaruar të gjithë liderëve të partisë në Kosovë se heqja e taksës është në interesin e Kosovës dhe ekonomisë së saj, si dhe në dëshirën për të hapur biznese të reja”, tha ai në një deklaratë për AP.