Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe sot në Krushë të Madhe dhe Krushë te Vogël.
Kurti tha se edhe sot e kësaj dite i kemi 64 të zhdukur, e në mesin e tyre edhe profesorin Ukshin Hoti.
Duke bërë nderime te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, dhe duke u angazhuar për të zbardhur fatin e të pagjeturve, Kryeministri Kurti theksoi se kryhet një pjesë shumë e vogël e borxhit të madh që e kemi ndaj sakrificës, humbjeve dhe vuajtjeve të popullit tonë falë të cilëve ne sot e kemi edhe lirinë edhe pavarësinë.
“Drejtësia për krimet e kryera nga Serbia mungon, dhe është obligim i yni institucional që të angazhohemi maksimalisht me Institutin e ardhshëm për Krimet e Kryera gjatë Luftës dhe me aktivizimin e Prokurorisë Speciale e të sistemit të drejtësisë në përgjithësi në mënyrë që të arrijmë që t’i shërojmë plagët e luftës duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjell drejtësi që duhet të gjykojë e të dënojë kriminelët e luftës”, tha ai.
Pas Krushës së Madhe, vazhduan për në Kompleksin e Varrezave në Krushë të Vogël të Komunës së Rahovecit.
“113 veta u vranë në Krushë të vogël, dhe ky është një shembull i gjenocidit të Serbisë në pranverën e vitit 1999. Atëherë kur ajo synonte shfarosjen e shqiptarëve, terrorin mbi neve në mënyrë që të na shporrin nga toka jonë e lashtë, ku jemi popull autokton dhe që nuk i ka dashur askujt të keqen, por vetëm të mirën për të gjithë”, Kryeministri Kurti.
Nga Krusha e Vogël, Kryeministri Kurti u zotua se do të angazhohen si askush tjetër para tyre, për drejtësi për Kosovën, për familjet e të pagjeturve, familjet e të vrarëve , për humbjet, vuajtjet e viktimat që i kemi, për dëshmorët dhe martirë, të cilët paguan çmimin e njëjtë të lirisë sonë kaq të vlefshme dhe pavarësisë sonë të shpallur këtu e 13 vjet më parë.
“Përkulemi para të gjitha këtyre varreve e familjeve të cilët përditë e ndjenjë mungesën e thellë të më të dashurve të tyre që nuk ishin vetëm anëtarë të këtyre familjeve, por shqiptarë e qytetarë të vendit ndaj të cilëve kemi borxh e obligim”, përfundoi Kryeministri Kurti