Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur sërish për çështjen e barrikadave në veri të vendit të cilat po vazhdojnë të jenë të vendosura, në një intervistë për mediumin boshnjak istraga.ba.
Kryeministri, ndër të tjera tha se këto barrikada do të largohen brenda disa ditëve, që nuk do të jenë javë apo muaj. Madje, sipas kryeministrit, nëse këtë gjë nuk e bën KFOR-i, do ta bëjnë autoritetet e Kosovës.
“Nëse këtë nuk e bën KFOR-i, do ta bëjmë ne. S’mund të zgjasin për muaj. As për javë, por vetëm disa ditë”, ka thënë Kurti.
Kurti shtoi se barrikadat janë urdhër i Beogradit si episodë e dytë ne veri të Mitrovicës.
“Ne kemi policinë tonë në veri, e cila tani është më e pranishme se më parë. Por ne kemi edhe njëmbëdhjetë barrikada. Këto barrikada ishin episodi i dytë i episodit të parë, që ishte se serbët nga veriu morën urdhër nga Beogradi që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës”, ka thënë kryeministri, i cili shtoi se po “përsëriten gabimet e viteve 90-ta”
“Ata nuk janë krijues. Ata nuk dinë gjë tjetër veçse të përsërisin gabimet e viteve nëntëdhjetë kur ndërtuan barrikada në Bosnje dhe Kroaci. Pra, në një farë mënyre dinë vetëm të përsëriten. Unë mendoj se ata do të dështojnë”, ka thënë Kurti.