Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar replikat e tij me krerët e partive opozitare në Kuvend, të cilët e kanë kritikuar ashpër lidhur me procesin e dialogut dhe planin franko-gjerman.
Kurti ka thënë se marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka bërë Hashim Thaçit e Isa Mustafa.
“Qëky Asociacioni është Asociacion i kryetarit të nderit të LDK-së dhe ish-kryetarit të PDK-së. Kjo duhet me qenë preambula sa herë ta merrni fjalën për Asociacion. Asociacioni është Zajednicë e Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Falë meje nuk po zbatohet. Sa për juve moti ish kry ajo. Kam përmendur gjashtë kushtet për Asociacionin. Asociacionin që e keni sjell. Zajednica e Thaçit e Isa Mustafës nuk po zbatohet se ka Qeveri demokratike. Kur po jep deklarime Escobari po thotë për një njeri nuk ndalet Asociacioni. Në atë momenti ju duhet me dalë me thanë kryeministri nuk është vetë. Por ju nuk dilni”, ka thënë Kurti.