(kushtuar një bije të papunë të një dëshmori të lirisë diku në Republikë)
Liria ta ka vrarë guximin
dhe guxim s’të jep
as gjaku i babës,
as shokët e tij
t’u thuash troç shkapërdarëve
se ti ke hise n’shtet më shumë
sesa nipat e mbesat e udbashëve.
As gjaku i babës,
as shokët e tij
nuk ta mbushin shtratin e shpirtit me guxim
t’ua bësh copë-copë bastardëve
fjalimet fjalë dhelpre për lirinë.
SËMUNDJET E LIRISË
E dërguan
në dializë lirinë.
Ekzaminohet
kur t’ia gjejnë djemtë
epruvetat e gjakut
që kanë humbur
laborantët.
FALNA ZOT SOT
Vijmë në shtëpinë Tënde
në ditën e parë,
të dytën,
të tretën…
të tetën,
të dielën,
të premten,
vijmë me t’dashtë Ty
pa e dashtë Veten,
falna Zot sot.
SHUMIMI I PLEHRAVE
Plehra shumë
n’shkollë,
n’shkallë,
n’udhë,
n’rrugë.
Janë cilësi në demokraci.