Kur do t’i prodhojë Kosova plumbat e saj, Maqedonci: Na duhet pak më shumë se një vit

Ditë më parë Kosova ka nënshkruar kontratë me firmën turke “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) për ngritjen e fabrikës së parë të municionit.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënëse nuk do të shkojë gjatë dhe vendi do t’i ketë plumbat e vet.

“Vlerësoj që bazuar në marrëveshjen, në afatet kohore që janë vendosur aty, nuk do të kalojë dyvitëshin. Do të jetë pak më shumë se një vit”, është shprehur Maqedonci për Klan Kosova

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, dy ditë më parë, paralajmëroi se grupe terroriste po planifikojnë sulme të tjera në Kosovë gjatë festave të fundvitit, pas atij në kanalin e Ibër-Lepencit.

Por, ushtria e Kosovës është gati t’i përgjigjet çdo kërcënimi, sipas Maqedoncit.

Sipas tij, armët e sofistikuara të blera rishtazi nga ShBA-ja, Turqia por edhe Gjermania kanë rritur ndjeshëm kapacitetet.

“Kemi pasur trefishim të buxhetit për ushtrinë gjatë këtij mandati dhe kemi arritur të blejmë drone Bajraktar dhe sisteme të tjera shumë të rëndësishme. Raketat Javelin janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen ndaj tankeve. Shpresojmë që t’i kemi që në vitin 2025”, deklaroi Maqedonci.

Sipas ministrit, “raketat Javelin nuk lejojnë depërtimin e mjeteve të blinduara dhe tankeve brenda territorit”.

Teksa deklaroi se për momentin do t’i përmbahen zotimit të dhënë në vitin 2013 për të mos dërguar ushtrinë në veri, Maqedonci theksoi se çështja do të shqyrtohej në të ardhmen.