Kosova ka mbyllur kufijtë ajror dhe tokësor që nga shfaqja e pandemisë me COVID-19.
Si masë parandaluese e përhapjes së koronavirusit në Kosovë, autoritetet vendore kishin marrë vendim në mbylljen e kufijve ajror dhe tokësor.
Pavarësisht se numri i rasteve me koronavirus në vendin tonë po shënon ulje, kufijtë akoma janë të mbyllur dhe nuk dihet se kur do të hapen.
Alban Zogaj, shef i kabinetit të ministrit në detyrë të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka thënë për lajmi.net, se ende nuk dihet kur do të hapet trafiku ajror në Kosovë.
“Nuk kemi datë të saktë, por po punojmë së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë që të kemi një plan sa më shpejtë”, ka deklaruar Zogaj për lajmi.net.
Theksojmë se sipas Zogajt, që nga mbyllja e kufijve, në Kosovë janë kthyer mbi 700 qytetarë nga vende të ndryshme të botës dhe se sipas tij, brenda kësaj jave pritet të kthehen edhe 120 kosovarë nga Suedia.