Kulumbria është një frut i të njëjtës familjes botanike ku bën pjesë edhe kumbulla. Lulet dhe frutat e bimës së egër të kulumbrisë përdoren në mjekësinë popullore. Këto fruta kanë vlera të shumta dhe i bëjnë mirë stomakut dhe gjakut.
Gjithashtu ato janë të pasura me antioksidantë. Frutat nxisin nxjerrjen e lëngjeve me toksina nga trupi, djersitjen e rrjedhimisht largojnë papastërtitë dhe ulin temperaturën. Kulumbria është pjesë e koleksionit shqiptar të bimëve mjekësore dhe përdoret në vend, por një pjesë e konsiderueshme e mbledhjeve të kësaj bime eksportohen nga kompanitë e bimëve medicinale.
Lulet e bimës së kulumbrisë janë në ngjyrë të bardhë ndërkohë që frutat janë të një ngjyre blu në të zezë. Frutat kanë një diameter 2 centimetër dhe një shije të thartë. Kur janë të pjekura, këto kokrra përdoren për përgatitjen e shurupit, reçelit dhe ëmbëlsirave të tjera. Mësohet se duke qenë se janë tejet të tharta si fruta, kulumbritë vështirë se mund të konsumohen të gjalla, megjithatë në variantin e thatë, gjethet dhe frutat përdoren për çaj.
Shtatë vlerat e kulumbrisë
Pastron gjakun
Lulet, gjethet dhe lëkura e kulumbrisë ndihmojnë në pastrimin e gjakut dhe largojnë toksinat dhe papastërtitë nga trupi. Sipas burimeve lulet në veçanti janë të pasura me rutinë dhe kuercitinë që bëjnë punën kryesore në pastrimin e gjakut.
Përmirëson tretjen
Kulumbria përmirëson tretjen, lufton konstipacionin, fryrjet, dhe diarenë veçanërisht tek fëmijët. Për më tepër, çaji bimor përgatitet duke hedhur dy lugë me kulumbri të thatë në një filxhan me ujë. Në këtë formë, do të keni mundësi të stimuloni oreksin. Nëse konsumoni reçel kulumbrie ose marmalade, atëherë do të zgjidhni problemin e mostretjes ose të stomakut në përgjithësi.
Zgjidh problemet me veshkat
Lulet e bimës prunus spinosa mund të përdoren për të zgjidhur problemet e akumulimit të lëngjeve në trup, për të tretur gurët në veshka dhe problem të tjera të këtij organi. Ato ndihmojnë kundër dhimbjeve të stomakut dhe ato nervore.
Largon inflamacionin e gojës dhe fytit
Autoritetet Gjermane kanë miratuar me ligj përdorimin e këtij fruti kundër inflamacionit të gojës dhe fytit. Nëse keni probleme të tilla mund të bëni gargarë me lëngun e frutit të freskët, ose me lëngun e gjetheve të kulumbrisë, të cilat shërojnë bajamet e acaruara. Rekomandohet një mënyrë si të përfitoni nga kulumbria. Vendosni katër gjethe të kulumbrisë në gjysëm litri ujë dhe ziejini për 10 minuta.
Kullojeni lëngun dhe bëni gargare 2 ose tre herë në ditë. Me kulumbrinë mund të bëni edhe shurup. Shtoni 450 gramë sheqer të bardhë dhe 2 lugë të mëdha me gonxhe lulesh të kulumbrisë në 4.5 litra ujë. Ziejini së bashku. Kur shurupi të ftohet hidheni në shishe të sterilizuara. Mund ta holloni me ujë dhe ta përdorni për gargarë për të trajtuar bajamet dhe laringun e acaruar. Këtë lëng mund ta shtoni edhe në kos.
Trajton problemet me frymëmarrjen
Lulet e kulumbrisë përdoren për të trajtuar problem me traktin respirator, sepse luftojnë simptomat e të ftohtit dhe kollës. Lëkura e vetëm bimës së kulumbrisë përdoret për të ulur temperaturën.
Përdoret në produktet e bukurisë
Tuli i kulumbrisë së pjekur përdoret në industrinë e kozmetikës për prodhimin e maskave të fytyrës dhe të bukurisë. Ju mund të përdorni edhe ekstraktin e kulumbrisë për të ruajtur elasticitetin e lëkurës, sepse ky frut është i pasur me vitaminë C dhe taninë. Vaji i kulumbrisë përdoret edhe kundër strijave (shenjave të lëkurës) dhe njollave.
Largon lodhjen dhe dobësinë fizike
Nëse pini ujë të përzjerë me ekstraktin pluhur të kulumbrisë kur jeni të acaruar, do të përjetoni një qetësim të menjëhershëm të nervave. Për më tepër, do të ndiheni më të shplodhur dhe plot gjallëri./AgroWeb