Një nënë nga Prishtina po e akuzon edukatoren e një kopshti në kryeqytet se ka abuzuar me fëmijën e saj. Ajo ka publikuar edhe një video, sipas së cilës dadoja e ka rrahur fëmijën vetëm pse ai nuk dëshironte të ulej në karrocë.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ajo u ka bërë thirrje prindërve që mos t’i dërgojnë fëmijët në këtë kopsht. Ka thënë se këtë video po e publikon që t’i vetëdijësojë njerëzit se çka ndodh aty.
“Doja t’ju informoja për abuzimin e fëmijëve në kopshtin e fëmijëve “Kembrixh”, nëse dikush ka dërguar ose po mendonte të dërgonte fëmijët e tyre atje. Më poshtë video është se fëmija im është rrahur nga dado, sepse ai nuk dëshiron të ulet në karrocë. Ju lutem ndajeni këtë video, në mënyrë që njerëzit të jenë të vetëdijshëm për atë që ndodh atje !!!”, ka shkruar ajo.
Rastin për Express e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Me datën 10 shkurt 2020 në stacionin policor jugu ne Prishtinë është iniciuar një rast Keqtrajtim i femijës. Në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore”, ka thënë Ahmeti.
Gazeta Express ka provuar të kontaktojë edhe me pronarët e kopshtit, por në numrat që figurojnë në faqen e kopshtit në Facebook, nuk është përgjigjur askush. /