Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të mbrojtjes së interesit publik të qytetarëve, ju njofton se Agjencia “BCD Travel”, me seli dikur në Bregun e Diellit, në Prishtinë, tani është duke funksionuar Online, në rrjetet sociale, me disa persona të dyshuar se në bashkëkryerje po mashtrojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe të vendeve fqinje me aranzhmane turistike në Turqi, Dubai, Maldive, Egjipt, si dhe përmes shitjes së biletave të fluturimeve në vendet e Evropës.
Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast, ku dyshohet se ky grup i personave ka mashtruar qindra qytetarë të cilët kanë paguar shuma të konsiderueshme të parave, kinse për sigurimin e vizave në vendet evropiane, ashtu që prokurori i shtetit është duke vazhduar me trajtimin e rastit në fjalë dhe ndërmarrjes së veprimeve të tjera hetimore.
Ju sigurojmë se, Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm këtë rast dhe personat e përfshirë në kryerjen e veprave penale do të ndiqen penalisht, andaj u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët janë të dëmtuar nga ky agjencion turistik, të bashkëpunojnë me organet e rendit, pasi synimi kryesor është luftimi i suksesshëm i krimit dhe sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe mos të bien pre e mashtrimeve të tilla.