Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka deklaruar se Qeveria Hoti në të cilën bën pjesë edhe vetë, duhet të rrëzohet për shkak të dështimit për votimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.
Kuçi në emisionin “Jeta në Komunë” përballë gazetares Jeta Xharra u shpreh se do ta votonte rrëzimin e Qeverisë pasi që ky Projektligj të votohet, në rast që do të parashtrohej kjo alternativë.
“Unë mendoj që një qeveri që nuk mundet me kalu Ligjin për rimëkëmbje ekonomike nuk duhet me vazhdu tutje. Po flas me zemrën e plastë, se jemi në gjendje emergjente, pandemi. Mendimi jem është që edhe mjetet pas një kohe nuk shkojnë në kohën e duhur, ka dallim sepse disa dëme janë të riparueshme. Jam mundu me iu dal në ndihmë bizneseve sa i përket kompetencave të mija. Është fer me thanë “a po e votojmë rimëkëmbjen ekonomike edhe po shkojmë në zgjedhje”, kjo ka kuptim. E kisha votu rrëzimin e Qeverisë, veç ta votojmë njëherë Projektligj”, u shpreh Kuçi.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka dështuar disa herë të votohet në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit.