Kryetari Zenun Elezaj viziton Stacionin e Policisë: Diskutim për përmirësimin e sigurisë dhe mbështetjen ndaj policisë

Kryetari i Komunës së Klinës Prof.Dr Zenun Elezaj së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Qendrim Millaku, dhe drejtorin e Inspektoratit, Faruk Smajli, sot realizoi një vizitë në stacionin e policisë në Klinë.

Gjatë këtij takimi me komandantin e stacionit policor, kapiten Ragip Bytyqi, dhe pjesëtarët e policisë, u diskutua mbi gjendjen aktuale të sigurisë në komunë, kushtet në të cilat punon policia dhe sfidat me të cilat përballen zyrtarët policorë.

Kryetari nënvizoi se Komuna e Klinës ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur punën e policisë përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe sigurimit të pajisjeve që ndihmojnë në përmbushjen e detyrave të tyre.

Një pikë kyçe e diskutimeve ishte hartimi dhe zbatimi i planeve operative për shtimin e kontrolleve në zona të caktuara, si pjesë e përpjekjeve për të rritur sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të Klinës.

Kjo vizitë nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë mes institucioneve për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e komunës.