Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha zhvilloi një takim të përzemërt dhe vëllazëror me liderin e AAK z.Ramush Haradinaj. Veç tjerash ndër temat kryesore të diskutimit ishin situata politike në Kosovë, dialogu me Serbinë dhe roli i jashtëzakonshëm i mërgatës shqiptaro-amerikane në promovimin e interesit dhe imazhit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas takimit në faqen zyrtare në Fb z.Haradinaj shkroi: “Shqiptarët që jetojnë e veprojnë prej vitesh në Amerikë, janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit. Ata kaluan Atlantikun, por lidhjen me atdheun nuk e shkëputën asnjëherë dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm edhe sot në rrugën e integrimeve të Kosovës.
Pata kënaqësinë të takoj kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, Elmi Berisha, me ç’rast biseduam për zhvillimet e përgjithshme politike në vend e rajon. Njëherësh ritheksova nevojën e vazhdimit të përkrahjes së tyre për Kosovën si për zhvillimin ekonomik të saj ashtu edhe në temat e rëndësishme që na presin në të ardhmen, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në NATO, si një nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon”.