Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve: Çmimi i derivateve mund të arrijë deri në 1.60 euro

Lufta në mes Ukrainës dhe Rusisë ka ndikuar në rritjen e çmimit të derivateve në botë.

Këtë e ka thënë për KALLXO.com, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, duke shtuar se rritja e çmimit të derivateve e ka prekur edhe Kosovën.

Berjani tha se vetëm më 24 shkurt ka pasur rritje 60 dollarë për ton.

“Lufta në Ukrainë ka ndikuar që të ketë rritje enorme, janë çmimet më të larta në 20 vitet e fundit. Kjo ka ndodhur në tërë botën dhe po reflekton dhe te ne. Kjo situatë ka qenë edhe kur ka qenë edhe në luftën në Irak”, tha ai.

Berjani tha se çmimi i derivateve mund të arrijë deri në 1 euro e 60 centë për litër.

“Sipas situatës dhe trendit në tërë botën çmimi më i lartë mundet me shku deri në 1 euro e 60 centë”, theksoi ai.

Sot, është dita e pestë e pushtimit rus – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur një operacion “special” për “çmilitarizimin” e njerëzve.

Shtetet e Bashkimit, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe morën sanksione ndaj Rusisë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët thotë se po merr raporte për njerëzit që po bllokohen të hyjnë nëpër trena në Ukrainë.

Një zëdhënëse shkroi në Twitter se UNHCR po e shqyrton këtë raport dhe se 422 mijë njerëz janë larguar nga Ukraina në drejtim të vendeve fqinje.

Më shumë se 100 mijë euro njerëz janë zhvendosur tani brenda Ukrainës, sipas OKB-së.