28 punëtorë të Shoqatës Sindale e KRM “Ambienti”, Njësia Operative në Klinë janë futur në grevë dhe e kanë bllokuar tërë punën, për shkak se menaxher është bërë Idriz Beqiri.
Sipas këtyre punëtorëve, punësimi i Beqirit, është i papranueshëm, ngase ai ka lidhje familjare me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezajt.
Në një komunikatë shtypi, punëtorët e kompanisë thonë se procesi i përzgjedhjes së menaxherit të ri ka qenë i montuar dhe politik dhe se Beqiri është nip i kryetarit Elezaj dhe militant i AAK-së.
Por, ky i fundit për Indeksonline ka mohuar të ketë ndikim në këtë proces, madje ai ka thënë se nuk është në dijeni as për grevën e punëtorëve.
“Idriz Beqiri është nip i fshatit, e fshati është i madh. Unë nuk e menaxhoj atë kompani, ajo është rajonale në Pejë e ka bordin e vet në Pejë, asnjë ndikim imi nuk është aty. Nuk kam asnjë kompetencë, as s’më ka pyet kush”, ka thënë Elezaj.
Ndryshe, punëtorët që kanë hyrë në grevë kanë kërkuar nga organet kompetente anulimin e vendimit për ardhjen në punë të Idriz Beqirit deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi që lënda është në procedurë gjyqësore.
Ndërsa kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.