Kryetari Elezaj vizitoi zonat e vërshimeve në Komunën e Klinës

Kryetari Elezaj vizitoi zonat e vërshimeve në Komunën e Klinës

Komuna e Klinës njofton qytetarët se pas reshjeve të dendura të shiut dhe borës, në disa vende ka vërshime. Disa rrugë janë bërë të vështirë të kalueshme, prandaj kërkohet kujdes i shtuar nga qytetarët.

Po ashtu, vërshime ka edhe nëpër shtëpi banimi në disa zona.

Për të parë situatën nga afër, që nga mëngjesi ka dalur në teren kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me komandantin e Stacionit të Policisë në Klinë, z. Ragip Bytyqin, drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjente, z. Iber Elezaj, dhe atë të Urbanizimit, z. Lorenc Marleku, ku kanë vizituar zonat e vërshimeve në Klinë dhe fshatra.

Komuna në bazë të kapaciteteve të veta ka ndërmarrë masa për intervenim në zona të vërshimeve, por situata është vështirësuar në disa pjesë.

Komuna e Klinës kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët që ta tejkalojmë këtë gjendje të krijuar nga vërshimet. /Klina.info