ELEZAJ VIZITOI QKMF-në
Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, sot ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nëna Terezë”, ku është pritur nga drejtori i Shëndetësisë, z. Hekuran Sejdiu dhe drejtori i QKMF-së, Anton Shllaku.
Fillimisht, kryetari bashkë me bashkëpunëtorë, kanë kaluar nëpër tunelin dezinfektues, i cili është vendosur në hyrje të QKMF-së dhe mund të përdoret nga stafi shëndetësor dhe qytetarët.
Drejtori Sejdiu ka theksuar se pas lehtësimit të masave ndaj virusit COVID-19 ka filluar të shtohet edhe numri i kërkesave të pacientëve për vizita shëndetësore dhe se QKMF po punon me numër të plotë të stafit, duke iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.
Kryetari Elezaj ka theksuar se ka qenë shumë i rëndësishëm angazhimi i stafit shëndetësor gjatë periudhës së përhapjes së virusit dhe kërkoi që kujdesi ndaj pacientëve të jetë maksimal.
Pasi kemi hyrë sot në fazën e tretë të lehtësimit të masave kundër virusit, ku janë hapur edhe kafenetë dhe restorantet, kryetari Elezaj fton të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të i respektojnë udhëzimet e mjekëve dhe vendimet e institucioneve, në mënyrë që të mos ketë rrezik për përhapje të mëtutjeshme të virusit.