Kryetari Elezaj uron qytetarët për 13 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, përkujtohen dëshmorët e kombit

Me rastin e trembëdhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës,

sot Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me kryesuesin e Kuvendit të Komunës, z. Fadil Gashin, nënkryetarin z. Besim Hotin, komandantin e stacionit të Policisë në Klinë, toger Ragip Bytyqi, bashkëpunëtorë të Komunës, përfaqësues të OVL-UÇK-së, veteranë të luftës e qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh pranë shtatores së Komandant “Kapuçit”, Mujë Krasniqit, pranë bustit të kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pranë bustit të ish kryetarit të Klinës, Ismet Rracit, pranë bustit të dëshmorit të kombit, Arben Halitit, e po ashtu edhe pranë memorialit të të pagjeturve në Klinë.

Në shenjë përkujtimi e mirënjohje për sakrificën e dëshmorëve të kombit, homazhe janë bërë edhe në kompleksin memorial “Kodra e Kuqe” te varrezat e dëshmorëve në Grabanicë.

Kryetari Elezaj më këtë rast ka uruar të gjithë qytetarët për trembëdhjetë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe ka thënë se liria e pavarësia e Kosovës është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të brezave të tërë, por që kulmoi e u arrit me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmën e vendeve mike e liridashëse.

“Liria e pavarësia e Kosovës është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të brezave të tërë, por që kulmoi e u arrit me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmën e vendeve mike e liridashëse.

Ne jemi mirënjohës gjithmonë kontributit të heronjve e atdhetarëve tanë, që sakrifikuan jetën për lirinë e atdheut.

Të gjithë qytetarëve të Klinës e Kosovës, familjeve të dëshmorëve, martirëve, të të pagjeturve, invalidëve e veteranëve të luftës jua uroj trembëdhjetë vjetorin e shpalljes së Kosovës shtet të pavarur, sovran e demokratik”, ka thënë kryetari Elezaj.