KRYETARI ELEZAJ PRITI NË TAKIM KOMANDANTIN E KFOR RCW, KOLONELIN ROCCO MUNDO

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga nënkryetarja e komunës, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, si dhe komandanti i stacionit Policor në Klinë, z. Ragip Bytyqi, kanë pritur në takim komandantin e Komandës Rajonale në Perëndim të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, kolonelin Rocco Mundo.

Kryetari Elezaj gjatë takimit ka falënderuar Kolonelin Mundo për ndihmën që ka dhënë KFOR-i në vendin tonë dhe për përkrahjen që po vazhdon të jep për institucionet e qytetarët e Klinës. Ata diskutuan për zhvillimet në komunën e Klinës, projektet që janë duke u zhvilluar e për ato që kanë planifikuar t`i fillojnë së shpejti.
“Ishte dakordim i përbashkët që të vazhdojmë bashkëpunimin e mirë e korrekt ndërmjet komunës së Klinës dhe KFOR-it për projekte në dobi të qytetarëve.

Ne jemi mirënjohës për kontributin, angazhimin e përkrahjen e madhe që ka dhënë KFOR-i për lirinë e vendit tonë!” – ka thënë Elezaj.