Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Financave dhe Zhvillimit Ekonomik dhe bashkëpunues të tjerë, kanë vizituar bashkësitë e lokaliteteve në fshatrat Sferkë, Gllarevë dhe Grabanicë, me ç’rast janë mbajtur takimet publike me qytetarë, lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2023-2026.
Gjatë takimeve është diskutuar për investimet kapitale, kërkesat dhe nevojat e atyre lokaliteteve të cilat do të projektohen në vitet në vazhdim.
Kryetari Elezaj theksoi se debatet me qytetarë janë shumë të rëndësishme për planifikim më adekuat të projekteve të ardhshme dhe shtoi se komuna e Klinës do të vazhdojë të mbajë edhe takime të tjera në shumë fshatra, në mënyrë që kërkesat e banorëve të përfillen drejtpërdrejt dhe në mënyrë më transparente në kuadër të këtyre dokumenteve strategjike.
Elezaj, gjithashtu, informoi qytetarët për ecurinë e projekteve të cilat pritet të fillojnë shumë shpejt. Komuna e Klinës, sot do të vazhdojë takime të tjera në Zllakuqan, Jashanicë dhe Drenoc, me fshatrat përreth.
Ndërsa, më datën 22 qershor, do të mbahet debati me qytetarë gjithëpërfshirës për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2023-2026, në sallën e Kuvendit Komunal Klinë.
Për të gjithë qytetarët e interesuar për Dokument-Kornizën Afatmesme Buxhetore 2023-2026, mund ta gjejnë të publikuar në web faqen zyrtare të Komunës së Klinës.