Homazhe dhe akademi përkujtimore janë mbajtur gjatë ditës së sotme në njëzetekatër vjetorin e rënies heroike të komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi – “Kapuçi” dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij.
Përmes një postimi në faqen zyrtare FB, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka folur rreth kësaj date të rëndësishme ku shkruan:
Kemi bërë homazhe dhe kemi vendosur kurora lulesh pranë shtatores së tij në Klinë.
Në shenjë nderimi e mirënjohje për kontributin e pashoq për çlirimin e vendit, heroizmin e trimërinë e treguar në luftë, homazhe kemi bërë edhe pranë memorialit të dëshmorëve në Morinë të Skenderajt.
Rënia e komandant “Kapuçit” për bashkëluftëtarët e tij ishte një humbje jashtëzakonisht e madhe, por heroizimi e trimëria e tij veçse i frymëzoi ushtarët e UÇK-së për të vazhduar luftën deri në plotësimin e amanetit të këtyre pishtarëve të lirisë, çlirimin e vendit.
Lavdi e mirënjohje përjetësisht dëshmorëve të kombit e të rënëve për lirinë e vendit!