Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, vizitoi fshatin Volljak, ku ka inspektuar nga afër fillimin e punimeve në ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza.
Ky projekt financohet nga Zyra Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, ndërsa implementues i këtyre donacioneve është Dorsch dhe CDI.
Donacioni i realizimit të këtij projekti kap shumën në vlerë prej mbi 180 mijë euro.
Kryetari Elezaj me këtë rast shtoi se ky projekt do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të fshatit Volljak dhe se investime të tilla kanë impakt edhe në mbrojtjen e tokës, burimeve ujore dhe të mjedisit në përgjithësi.
Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Volljak, do të ketë kapacitetin e grumbullimi dhe trajtimin e ujërave të zeza për nevojat e 4.000 banorëve.
Elezaj, në fund shprehi mirënjohje të thellësishme dhe falënderime për Zyrën Zvicerane, për bashkëpunim në Kosovë dhe theksoi se investime të tilla në sektorin e trajtimit të ujërave të zeza do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.