Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, të mërkurën (15 janar) do të mbajë konferencë për media nga ora 10:00.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se kjo konferencë lidhet me rastin e Liridona Ademajt, e cila ishte vrarë në nëntor të vitit 2023.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ju fton të merrni pjesë në konferencën për media për rastin e Liridona Ademajt, e cila do të mbahet me datë 15.01.2025 me fillim nga ora 10:00, në objektin e Prokurorisë Themelore Prishtinë, Salla e Konferencave, Kati 0”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, janë bërë mbi një vit pas vrasjes së Liridona Ademajt dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës patën thënë se janë ende në hetime dhe ende nuk ka të ngritur aktakuzë.
Ishin orët e mbrëmjes, e ajo kthehej në shtëpi nga një darkë me burrin dhe fëmijët, por pak minuta para arritjes në shtëpi me një plumb u vra Liridona Ademaj.
I dyshuari kryesor për organizimin e vrasjes së mbetet bashkëshorti i saj Naim Murseli, i cili u arrestua pak ditë pas vrasjes së saj, megjithatë Prokuroria Themelore e Prishtinës ende nuk ka ngritur aktakuzë qoftë ndaj Murselit ose ndaj personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në rast.
Nga prokuroria patën thënë se ende janë në hetime.
“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se çështja penale të cilës i referoheni është akoma në fazën e hetimeve nga ana e prokurorit të çështjes dhe pasi që hetimet lidhur me këtë çështje janë në vazhdim e sipër, nuk është e mundur të ofrohen më shumë informata lidhur me këtë rast”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/