Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të komunës, sot ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe ministrat, znj. Hykmete Bajrami, z. Arben Vitia dhe znj. Emilija Redzepi.
Kryetari Elezaj e ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitën dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve gjatë kësaj kohe të përhapjes së pandemisë Covid-19.
Elezaj informoi kryeministrin për masat e ndërmarra nga komuna kundër përhapjes së virusit dhe përgatitjet që janë bërë nga shtabi i emergjencës dhe në veçanti për punën nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, policia dhe Qendra për Punë Sociale.
Kryetari theksoi se Klina megjithëse është komuna e parë ku është konfirmuar pacienti zero, duke ju falënderuar masave të ndërmarra dhe kujdesit dhe vetëdisiplinës që po tregojnë qytetarët gjatë kësaj kohë, ka ndikuar shumë pozitivisht në mospërhapjen e virusit në Klinë.
Ndërsa kryeministri Kurti falënderoi kryetarin për pritjen dhe e përgëzoi për masat e ndërmarra, të cilat kanë qenë shumë pozitive.
Ndërsa bëri thirrje të respektohen këshillat e ekspertëve shëndetësore, që të mbahet distanca dhe higjiena, në mënyrë që lakorja e shpërndarjes së Covid-19 të shtyhet sa më shumë në kohë dhe ngritja e saj të bëhet sa më e paktë, në mënyrë që ta parandalohet kjo pandemi.
Kryetari Elezaj theksoi me sfidat me të cilat po përballet komuna dhe qytetarët, si problemi i furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe nevojën e përfshirjes të punëtorëve të KRU “Ambienti” në pakon emergjente.