Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi, ka kujtuar dëshmorët dhe martirët e rënë më 7 prill 1999, në mesin e tyre dhe 13 banorë të fshatit Çabiq i Klinës.
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
Dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, fushatat kriminale të Serbisë për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët vendas, shkuan duke u ashpërsuar dhe intensifikuar. Kështu më 7 prill 1999, forca të armatosura policore dhe ushtarake të Serbisë e sulmuan herët në mëngjes fshatin Abri e Epërme të Drenasit, duke i shënjestruar veçanërisht lagjet Demaku dhe Xhemajli. Këtu ata hasën në rezistencë nga ushtarët e Brigadës 111 “Adem Jashari” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas disa orësh luftime të ashpra në mbrojtje të civilëve dhe të atdheut të tyre, më 7 prill 1999, ranë dëshmorë Xhevat Demaku – 24 vjeçar, bashkë me kushëririn e tij të parë Bedri Demakun – 22 vjeçar dhe bashkëluftëtarin e tyre Imer Shalën – 27 vjeçar nga fshati Dobrevë. Gjatë këtyre luftimeve u plagosën Besim Vrellaku, Xheladin Xhemajli, Driton Rama dhe Rexhep Hoxha.
Në mesditën e 7 prillit 1999, forcat serbe i sulmuan banorët civilë te tunelet mes fshatrave Çabiq dhe Açarevë, ku nga predhat u vra e vetmja motër e dëshmorit Xhevat Demaku, Fatimja, së bashku me djalin e saj 4 – vjeçar Mirget Gashin, kurse vajza e saj Drenusha u plagos rëndë dhe në kushte lufte iu amputua dora. Atë ditë aty u vranë edhe Emurllah Gashi, Zarife Gashi, Bledar Gashi, Shaban Gashi, Enver Gashi, Sead Gashi, Sofije Gashi, Zade Gashi dhe Servete Gashi.
Në të njëjtën ditë, më 7 prill 1999, në afërsi të fshatit Lybeniq të Pejës, një grup prej 13 ushtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 5 banorësh civilë nga fshatrat përreth, ranë në një pritë të ushtarëve të Serbisë. Nga ajo ditë e deri sot që u bënë 25 vite, ky grup prej gjithsej 18 personash, dëshmorë dhe martirë të lirisë së Kosovës, rezultojnë të zhdukur me dhunë: Hazir Bezeraj, Januz Bezeraj, Muhamed Bezeraj, Abedin Shala, Jeton Shala, Nazmi Shala, Sejdi Shala, Selim Shala, Valdet Shala, Demë Shala, Kushtrim Shala, Agim Gjocaj, Arben Gjocaj, Lulëzim Gjocaj, Nazmi Gjocaj, Selvete Gjocaj, Sylë Gjocaj dhe Deli Bricori. Shteti i Kosovës sikur edhe shoqëria e saj nuk i harrojnë dëshmorët dhe martirët e rënë gjatë luftës, për çka do të kërkojmë drejtësi deri në fund, për çdo rast dhe për secilin krim të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të rënë për çlirimin e Kosovës në rrugën tonë të gjatë për liri!