Qeveria e Kroacisë ka nisur procedurat për njohjen e ndërsjellë të patentë shoferëve mes Zagrebit dhe Prishtinës.
Kjo u bë e ditur nga zëvendëskryeministri kroat, njëherësh ministër i Brendshëm, Davor Bozhinoviq, i cili edhe prezantoi para kabinetit qeveritar në mbledhjen e djeshme propozimin e Vendimit për fillimin e procedurës për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke dhe zëvendësimin e patentë shoferëve.
“Kjo është një marrëveshje që synon përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e lehtësimit të sigurisë rrugore në territorin e Palëve. Një marrëveshje e tillë tashmë është lidhur nga Republika e Kosovës me disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Bisedimet dhe negociatat për lidhjen e një marrëveshjeje ekuivalente me disa anëtarë të tjerë janë duke u zhvilluar”, tha ministri Bozhinoviq, duke shtuar se miratimi i Vendimit do të mundësonte fillimin e negociatave për draft marrëveshjen, raporton Klankosova.
Aktualisht, në Kroaci, 590 shtetas të Kosovës kanë marrë qëndrim të përhershëm, dhe 8082 prej tyre kanë marrë qëndrim të përkohshëm. Në Kosovë janë të regjistruar 1497 shtetas kroatë, ndërsa 60 shtetas kroatë me vendbanim në Kroaci janë të regjistruar për zhvendosje të përkohshme për në Kosovë.
“Projektmarrëveshja përcakton procedurën e njohjes dhe zëvendësimit, si dhe mënyrën e verifikimit të vlefshmërisë dhe autenticitetit të patentë shoferëve, dhe pas përfundimit të negociatave, Ministria e Punëve të Brendshme do të dorëzojë në Qeveri një raport për negociatat e zhvilluara dhe rezultatin e tyre. Zbatimi i kësaj Marrëveshjeje nuk do të kërkojë mjete shtesë financiare nga Buxheti i Shtetit”, përfundoi ministri Bozhinoviq.
Qeveria e Republikës së Kroacisë, me propozim të MPB-së, ka miratuar Vendimin për fillimin e procedurës për lidhjen e marrëveshjes në fjalë.