Kroaci, valë arrestimesh të zyrtarëve të lartë nën dyshimet për krim të organizuar dhe korrupsion

Që nga orët e mëngjesit në Kroaci ka pasur një aksion i zyrës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (USKOK), duke arrestuar disa zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë shtetëror, raporton Index.hr.

Ky aksion është zhvilluar gjatë gjithë ditës në disa qytet si Zagreb, Split dhe Knin.

Krunoslav Jakupciq kryeshef i agjensionit të Pyjeve të Kroacisë (Hrvatskih Sumova), është arrestuar në zyret e tij  dhe është përcjellë nga Policia për t’u marrë në pyetje nga Zyra kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (USKOK). Për të njëjtin mediat kroate raportojnë se ka një pagë mujore mbi 4 mijë euro.

Është arrestuar edhe Ivan Melvan, kreu i Administratës Kroate të Pyjeve në qytetin e Splitit, ndërsa gjithashtu nën pranga ka përfunduar edhe Ana Mandac ndihmëse e Ministres së Ekonomisë, dhe Ruzhica Njavro, sekretare në kabinetin e Ministrisë së Bujqësisë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Natasha Turbiq, kryetare e komunës Graqac, ndërsa është arrestuar dhe po merret në pyetje edhe ish kryetaren e qytetit Knin, Josipa Rimac.

Të njëjtit po dyshohen për keqpërdorime të detyrës së tyre, lidhur me ndërtimin e një ferme në prona publike në qytetin Knin.

Gjatë arrestimeve zyra e USKOK ka marrë edhe shumë dokumentacione dhe prova tjera materiale.

Deri në orët e pasdite janë arrestuar 13 persona, disa nga ta zyrtarë të lartë shtetëror, dhe disa biznesmenë dhe persona tjerë të dyshuar që kanë ndërmjetësuar ndërmjet biznesmenëve dhe zyrtarëve shtetëror.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se priten edhe arrestime tjera të zyrtarëve shtetërorë dhe biznesmenë, dhe shumë persona do të merren në pyetje nën dyshimet për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, krimit ekonomik dhe korrupsionit.