Bashkimi Evropian ka njoftuar për një paketë të konsiderueshme të mbështetjes energjetike prej 1 miliard euro grante të BE-së për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor që të adresojë pasojat e menjëhershme të krizës energjetike.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, tha dje gjatë Samitit të Procesi të Berlinit se BE-ja vazhdon të qëndrojë pranë Ballkanit Perëndimor, si në kohë të mira, ashtu edhe në vështirësi.
“BE-ja vazhdon të qëndrojë prapa Ballkanit Perëndimor – si në kohë të mira ashtu edhe në vështirësi. Gjatë pandemisë COVID-19, ne mobilizuam një paketë prej 3.3 miliardë eurosh për rajonin dhe sot po krijojmë një paketë mbështetjeje energjie prej 1 miliardë eurosh për të mbrojtur grupet më të cenueshme dhe për të nxitur investimet shumë të nevojshme në diversifikimin e energjisë. Ne po investojmë në strukturën ekonomike të rajonit për të avancuar në tranzicionin e energjisë së pastër dhe për të dalë më të gjelbër, më të fortë dhe më të qëndrueshëm nga kriza aktuale”, tha Von der Leyen.
Mbështetja buxhetore prej 500 milionë euro pritet të miratohet në dhjetor dhe të jetë e disponueshme në janar.
Ursula von der Leyen javën e kaluar kishte një vizitën në Prishtinë ku bëri të ditur se Bashkimi Evropian pritet të ndajë 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.