Kritikohet pritja e lojtarëve anglezë nga disa vajza në Aeroportin ‘Adem Jashari’

Pritja e ekipit të kombëtares së Anglisë nga një grup vajzash nga kompania “Limak” në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është kritikuar orëve të fundit në vend, për seksizëm.

Sociologia Sibel Halimi ka thënë se pritja e kombëtares angleze nga një grup vajzash shpërfaq realitetin se si trajtohen gratë dhe vajzat.

“Objektivizimi i grave si trupa atraktiv, por, edhe mënyra se si u moralizuan, i shërbejnë rendit tonë shoqëror patriarkal. Kjo është trashëgimia jonë kombëtare, këto janë organizimet tona, këta jemi ne! Mirësevini në Kosovë! #respectourmind”, ka shkruar ajo në Facebook.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Ajo e ka quajtur të turpshme mënyrën e pritjes së ekipit anglez.

“S’kam qare pa e thanë, ajo pritja në aeroport…e turpshme. Më ngushëllon fakti që Federata e Futbollit të Kosovës dhe ne Dardanët nuk e kemi prodhu atë skenë”, ka shkruar Çitaku.

Në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2020 mes Kosovës dhe Anglisë, në Prishtinë janë vendosur posterë mikrpritës për lojtarët e kombëtares angleze.