Krimet e Rënda arrestojnë 5 persona në Pejë për krim të organizuar dhe planifikim të një vrasje

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar mbrëmë operacion policor në Pejë, që kishte cak disa persona të përfshirë në një rast të veprimtarisë së kundërligjshme. Aksioni rezultoi me prangosjen e të dyshuarve dhe tashmë po ndërmerren veprimet e tjera nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali ekskluzivisht pesë persona përfunduan në prangat e Policisë, të cilët janë hetuar nën dyshimin për veprën penale “Krim i organizuar” dhe par përgatitjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Hetimi i nisur për këtë rast çoi në identifikimin e të dyshuarve, të cilët u kapën të premten në mbrëmje pas bastisjeve të kryera nga disa njësi policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe gjyqtarin e procedurës paraprake.

Burimet e Sinjalit kanë bërë tutje me dije se njëri nga të dyshuarit është Fatos Çollaku, i cili bashkë me të arrestuarit e tjerë dyshohen se kanë bërë marrëveshje, janë organizuar dhe kanë planifikuar kryerjen e një vrasje, si dhe janë përfshirë në krim të organizuar.

Të njëjtat burime thonë se bashkë me Çollakun, përfundoi në duart e Krimeve të Rënda edhe një person i njohur me emrin “Dardan” – i cili po ashtu dyshohet se ka pasur rol në këtë grup të dyshuar kriminal.

Ndaj të dyshuarve po ndërmerren veprimet e nevojshme dhe pritet të caktohet masa e ndalimit policor, ndërsa brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesa për paraburgim.

Ndryshe, kur ligji parasheh dënimin për përgatitjen e veprës penale të caktuar, përgatitja e veprës penale përfshin furnizimin me mjete ose aftësimin e mjeteve për kryerjen e veprës penale; mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale; marrëveshjen, planifikimin ose organizimin me personin tjetër për kryerjen e veprës penale, si dhe veprimet tjera me të cilat krijohen kushtet për kryerjen e drejtpërdrejt të veprës penale.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.