Një vendim i ri nga Gjykata Speciale lidhur me kushtet strikte për vizita e telefonata në Qendrën e Paraburgimit vazhdon të jetë në “mjegull”.
Gjatë seancës së sotme avokatët kanë ngritur alarmin se për gati një javë ish-krerët e UÇK-së nuk po mund të komunikojnë me familjarët. I pari që foli për këtë temë ishte avokati i Rexhep Selimit, Jeffrey Roberts.
Ai tha se prej të premtes nuk ka nisur të zbatohet vendimi i ri për vizita e telefonata në Qendrën e Paraburgimit.
“Po vrisja mendjen për vendimin e të premtes, e di që ka ngritur problemin Keohe. Vendimi juaj ende nuk është zbatuar, a mund të na thotë diçka Zyra Administrative dhe çfarë problemesh ka pasur për ta zbatuar këtë vendim”, ka pyetur Roberts, raporton Nacionale.
Atij iu përgjigj kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.
“Ne takuam zyrën administrative po bëjnë të pamundurën për ta zbatuar vendimin. Sa i takon Telefonatat me familjen mund të kryhen, por do të monitorohen derisa të dalë një urdhër i ri. Pyeta dje dhe Administratorja më tha duhet të bëjnë një kërkesë dhe do të lejojnë telefonatat”, ka thënë Smith.
“E kuptoj, ama nuk kanë folur që të dielën ka qenë telefonata e fundit. A e dimë kur do të zbatohet pjesa e mbetur e vendimit?”, pyeti sërish mbrojtësi i Selimit.
“Ne takuam zyrën administrative po bëjnë të pamundurën për ta zbatuar vendimin. Sa i takon Telefonatat me familjen mund të kryhen, por do të monitorohen derisa të dalë një urdhër i ri. Pyeta dje dhe Administratorja më tha duhet të bëjnë një kërkesë dhe do ta lejojnë”, tha gjyqtari Smith, duke shtuar se datën kur do të fillojë zbatimi i vendimit nuk e di ende.
Një situatë të tillë e ngriti edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, duke thënë se kërkesat e familjarëve për telefonata janë refuzuar.
“Janë bërë disa kërkesa për telefonata me familjarë dhe janë refuzuar, deri tani nuk janë lejuar telefonatat me familjen qofshin të monitoruara”, tha Emmerson.
Situatë të njëjtë paraqiti edhe avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe.
“Edhe për klientin tim nuk janë lejuar telefonatat”, tha ai.
Për gjyqtarin Smith, kjo situatë mund të jetë krijuar si rezultat i ndonjë keqkuptimi.
“E kuptoj, mbase ka pasur keqkuptim dhe do ta trajtojë unë këtë aspekt. Do ta shikoj këtë punë”, deklaroi ai.
Deri te kjo situatë ka ardhur pas një vendimi të ri që ndërlidhet me vizitat dhe telefonatat për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Edhe pse trupi gjykues refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e tyre, ata vendosën kushte strikte që ndërlidhen me vizitat e telefonatat.
Megjithatë, po del se ky vendim ende nuk ka nisur të zbatohet.