Krejt çka u tha sot në protestën e organizuar në Mitrovicën e Veriut

Qytetarët serb sot u mblodhën në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicën e Veriut në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Manifestimi nisi me intonimin e himnit të Serbisë.

Protestuesit u panë me pankarta me shkrimet “Të gjithë ne jemi Nenad Gjuriq” “Sot Nenad Gjuriq, nesër çdo serb në Kosovë”, “Nga këtu nuk ka kthim mbrapa”. E flamuj të Serbisë mbizotëruan në këtë pjesë.

Në tubim morën pjesë zyrtarë që kanë mbajtur poste në institucionet e drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë.

Paraprakisht, fjalime mbajti dekanja e Fakultetit Ekonomik Tanja Vujoviq, e cila tha se përkrah vendimin e përfaqësuesve të serbëve për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

“Universiteti në Mitrovicë e ndan fatin me popullin e tij, ne nuk mendojmë qe te gjejmë rrugën tone përveç asaj qe Kushtrimi i Kosovës na obligon. Përkrahim vendimin e përfaqësuesve tanë ne institucionet e Kosovës, ato politike, policisë dhe te drejtësisë”- tha ajo.

Gjyqtarja Liliana Stevanoviq iu drejtua turmës në sheshin “Car Llazar”, duke thënë se gjyqtarët dhe prokurorët serbë janë larguar nga gjyqësori i Kosovës.

“Dua të ju njoftoj që të gjithë ne, gjyqtarë dhe prokurorë kem dal nga Institucionet e Kosovës, per shkak qe është shkelur Marrëveshja e Brukselit, i njejti ka mbetur si një shkronje e vdekur në leter” – tha gjyqtarja Stevanoviq.

“Një herë vdes njeriu, e turpi jeton përgjithmonë” – janë fjalët e drejtorit i suspenduar të Policisë në rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Nenad Gjuriq në fjalimin e tij citoi fjalë të patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Pavle.

“Duam qe në vendin tonë të mbjellim lule dhe ti ndajmë me të gjithë botën duke shpërndarë aromën e paqes dhe dashurisë. Nuk dua të ju arsyetohem ne emër timin dhe të kolegeve të mijë që kem vendosur të jetojmë jetë të ndershme por dua t’i rikujtoj fjalët e Patriarkut Pavle që besoj që do ti kuptoni kur ai tha se “para se të filloni të me gjykoni mua dhe jetën time mbathi këpucët e mija dhe shko rrugës time, kalo rrugët dhe kodrat”” – tha Gjuriq.

Po ashtu, në tubim morën pjesë krerët e Listës Serbe, përfshirë kryetarin Goran Rakiq, të cilët janë edhe organizatorët e kësaj proteste.

Fillimisht, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, derisa ka folur në mbledhjen e qytetarëve serbë në sheshin e Mitrovicës së Veriut, ka thënë se po luftojnë për paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët, për shqiptarët.

“Kurti para disa ditesh ka thënë që ska komuna serbe ne Kosovë, nuk ekziston Marreveshja e Brukselit dhe as obligimi i tij që të formoj asociacionin e komunave serbe. Për këtë sot nuk ka deputet serb në parlament të Kosoves dhe as në institucione të Kosovës në veri”- tha Simiq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, njëherësh ish-ministër për Kthim në Qeverinë e Kosovës, bëri thirrje që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe të zbatohet Marrëveshja e Brukselit.

“Dje kemi dhanë dorëheqje por sot unë dua juve të ju kthej mandatet se ju na keni zgjidhje dhe jo Prishtina. Unë qëndroj para jush me ndërgjegje të pastër sepse bëmë gjithçka për ta parandaluar këtë. Me dorëheqjet tona mbrojmë Marrëveshjen e Brukselit dhe ligjin. Duam paqe, paqe dhe vetëm paqe. Ju lutemi mos bini në provokime, ne nuk jemi një faktor përçarës, ne duam që të tërhiqen gjithçka vendimet e njëanshme për targa dhe zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, për të themeluar Bashkimin e Komunave Serbe” – tha Rakiq.

Pas fjalimit të tij, turma filloi të shpërndahet.

Serbët braktisin institucionet e Republikës së Kosovës

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshi niveli qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur sot në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.

Sipas Rakiq, Prishtina në mënyrë konstante shkel të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet e Brukselit.

Ai ka thënë se populli serb në Kosovë është sistematikisht duke vuajtur terror të pandalshëm dhe dhunues nga institucionet e Prishtinës dhe në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme.

“Të kuptohemi, se ne serbët e Kosovës dhe Metohisë nuk i kërcënohemi askujt, por mundohemi që ta ruajmë paqen stabilitetin dhe të drejtën”-ka thënë ai.

Pas një fjalimi të gjatë, Rakiq njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij e ministrit në qeverinë Kurti.

Pas tij, fjalën e ka marrë përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nikolla Kabashiq.

“Në emër të gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe degës së Gjykatës së Apelit në Mitrovicë dhe në emër të punëtorëve administrativë të gjykatës, ne sot japim dorëheqje si gjyqtarë, prokurorë dhe punëtorë administrativë”-ka thënë Kabashiq.

Të pranishmëve u është drejtuar edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq.

Ai ka njoftuar se  kryetarët e katër komunave të veriut, të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit japin dorëheqje nga mandati i kryetarit, kryetarëve të asambleve komunale dhe asamblistëve.

Zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb i kanë zhveshur uniformat.

Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Dorëheqja e tyre është bërë gjate ditës së sotme pak orë para se të nis tubimi i paralajmëruar i Listës Serbe me qytetarët në veri të vendit.

Dorëheqja e kryetarëve të komunave është hapi i radhës qe ndërmorën zyrtarët serb të cilët kishin poste në institucionet e Kosovës.

E gjitha kjo pasi Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar para tri ditëve suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Kjo nën dyshimet se Gjuriq po bën thirrje për rezistencë kur tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëqortimeve, për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.

Reagimet pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendimin për largim të serbëve nga institucionet e Kosovës i ka quajtur veprime të Serbisë që për synim kanë destabilizimin e veriut të Kosovës.

“Veprimet e sotme të Serbisë, të cilat detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës të tërhiqen, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit” – thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidencës.

Osmani u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destabilizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.

Kryeministri Albin Kurti reagoi duke thënë se Beogradi ka nisur kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës.

Kurti nuk ka folur saktësisht për vendimin e fundit të zyrtarëve policorë nga komuniteti serb në veri, për t’u dorëhequr nga detyra, por ka kërkuar nga të gjithë qytetarët serbe që të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, duke thënë se ai nuk është kreministër kundër tyre.

Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova me vendimin e tyre për bojkotim të institucioneve, janë duke mbrojtur të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjen e Brukselit.

Të shtunën edhe zëvendëssekretari i NATO-s, Mircea Geoana, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në veri, pasi Lista Serbe ka njoftuar se janë larguar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Geoana tha se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin, teksa shtoi se KFOR’i është i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.

Krahas kësaj, edhe përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak reagoi duke thënë se është plotësisht dakord me zëvendëssekretarin e NATO-s, Mircea Geoana, lidhur me deklarimin e këtij të fundit se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.

Kurse, Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta shtyjë afatin për regjistrim të targave nga ato ilegale serbe në RKS dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM.

Po ashtu bën thirrje që Kosova ta nisë menjëherë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Ndërkaq serbëve të Kosovës, BE u ka kërkuar të kthehen në institucione.

“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës” – ka thënë ai.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale” – thuhet tutje në deklaratën e Borrell.

Ai shton se EULEX-i dhe KFOR-i do të vazhdojnë mbështetjen për të mbajtur një mjedis të sigurt në përputhje me mandatet e tyre përkatëse.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale do të marrin fletëqortime.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapave që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023.

Faza e dytë parasheh gjobë në vlerë 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese.

Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS