Njësia e Krimeve Ekonomike në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj është duke zhvilluar një aksion të gjerë, i cili nisi në orët e para të mëngjesit të sotëm, kundër korrupsionit me ndërtimet pa leje në Brezovicë.
Si rezultat i këtij aksioni u arrestuan dhjetë persona, në mesin e tyre ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në këtë komunë, Dimitrije Raçiqeviq, disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gjatë këtij aksioni, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha për Sinjalin se janë bastisur disa lokacione.
Cak i bastisjeve ishte edhe banesa e Nikoliqit. Këtij të fundit, Policia ia sekuestroi edhe një automjet.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për Sinjalin se ky aksion është duke vazhduar edhe në rajonin e Prishtinës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.