Ushtruesi i detyrës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi tha se vetëm me zbatimin e masave të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, do të ulet fluksi dhe presioni për të shtuar kapacitetet e reja, me shtretër dhe personel shëndetësor.
Sipas Krasniqit, gjendja e përgjithshme e pacientëve është jashtëzakonisht e rënduar, ku 370 prej tyre janë me oksigjenoterapi të vazhdueshme.
Ai ka theksuar se 39 pacientë janë duke u trajtuar në respiratorë, 15 nga këta të intubuar në gjendje shumë kritike.
“Ne sot nëpër spitalet rajonale dhe klinikat e QKUK-së kemi të shtrirë 599 pacientë. Qoftë të konfirmuar ose të dyshuar që janë në pritje të rezultateve me COVID. Nga këta 257 janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së dhe 342 në spitalet regjionale. Gjendja e përgjithshme e tyre është jashtëzakonisht e rënduar. Kemi 39 pacientë që janë të kyçur në respiratorë, 15 nga këta të intubuar që i vlerësojmë në gjendje shumë kritike. Nga ky numër i përgjithshëm i të shtretërve në klinika dhe spitale regjionale 370 pacientë i kemi me oksigjeno-terapi të vazhdueshme”, ka thënë Krasniqi.