Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot takime të ndara me Kryesinë e partisë dhe me kolegjiumin e kryetarëve të degëve, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend.
Kryetari Krasniqi është shprehur se viti 2023 ishte vit i humbur për Kosovën, i cili u karakterizua me degradim në arsim, kolaps në shëndetësi, stagnim ekonomik, shpopullim dhe migrim masiv, diplomaci të dështuar dhe me sanksione nga Bashkimi Evropian, si rezultat i keqqeverisjes dhe paaftësisë së Qeverisë Kurti.
Kryesia e PDK-së ka diskutuar edhe për draft-statutin e Asociacionit, ku u tha se ky draft krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, pasi ka kompetenca të qarta ekzekutive.
Kryetari Krasniqi ripërsëriti qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, krijon një nivel të ri të pushtetit dhe ka kompetenca ekzekutive.
Në fund të këtyre takimeve, Kryetari Memli Krasniqi njoftoi Kryesinë dhe Kryetarët e Degëve të PDK-së për hapat e ardhshëm të opozitbërjes dhe kërkoi përkushtimin e tyre në implementimin e vizionit të partisë.
Kryetari Krasniqi tha se Kosova ka nevojë për një Qeveri kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila, krahas punës për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, rikthen vendin në kursin e duhur të integrimit euro-atlantik.
Kryesia dhe Kryetarët e Degëve të PDK-së shprehën gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për t’u angazhuar në mobilizimin e PDK-së në të gjithë vendin.