Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se në Skenderaj kanë garuar kundër Bekim Jasharit dhe jo kundër përkatësisë së tij familjare.
I ftuar në Context, Krasniqi ka shtuar se ka patur interpretime nga dashakeqët se PDK është kundër familjes Jashari.
“Ajo ka qenë mënyra më e ulët e interpretimit të kësaj gare, ka qenë nga dashakëqijtë të thuhet se jemi kundër familjes Jashari, sepse kundër familjes Jashari nuk besoj që mund të ketë asnjë shqiptar, jo në Kosovë po kudoqoftë, e hiq më pak në Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
“Ne me përulësi të përjetshme e respektojmë familjen Jashari dhe sakrificën e tyre por ne kemi qenë në garë me kryetarin e komunës së Skenderajt dhe në asnjë mënyrë me përkatësinë e tij familjare”, shtoi kryetari i PDK-së.
Kujtojmë se Fadil Nura u zgjodh kryetar i Komunës së Skenderajt pasi që në rundin e parë mposhti ish-kryetarin Bekim Jashari.