Jakup Krasniqi para trupit gjykues tha se përmbajtja e aktakuzës të ngritur ndaj tij, e ka “lënduar më shumë” sesa dënimet “dhe “torturat” që ka kaluar në burgjet serbe.
“Unë kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit. Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale, as para luftës, gjatë luftës e as pas luftës. Gjithmonë kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar, që kanë qenë qëllimet e mia jetësore”, tha ai.
Në fund të deklarimit të tij, Krasniqi kishte tri lutje për trupin gjykues: të mos keqpërdoren mendimet dhe opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës ; që shënimet e tij, që tha se kanë pasur për qëllim përshkrimet për librat e tij shkencor dhe publicistik të mos përdoren si dëshmi për veprat penale dhe që materialet të mos keqpërdoren nga ZPS-ja.